Largimi i Victor Osimhen nga Napoli po duket gjithnjë e më i sigurt, pasi që eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano tha se sulmuesi duket se nuk do ta rinovojë kontratën e tij me kampionin italian.
Osimhen po lidhet vazhdimisht me klube të ndryshme evropiane, me dyshen angleze, Chelsea dhe Arsenali që po i prijnë garës.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, në disa raste kishte thënë se Osimhen nuk do të shitej këtë verë, edhe nëse shuma e kërkuar prej 200 milionë eurove të paguhej.
Por, Napoli po rrezikon që ta humbasë Osimhen këtë janar, ose gjatë merkatos verore. Kontrata e yllit nigerian me “Partenopei” skadon në vitin 2025.
Ndërsa klubi i ka ofruar Osimhen një kontratë të re, eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka përditësuar për të ardhmen e sulmuesit nigerian në platformën “Kick”.
“Për Victor Osimhen, duhet të qartësohet, siç e kam përmendur që nga shtatori, se nuk asnjë marrëveshje mes Napolit dhe Osimhen për një kontratë të re. Ai ka kontratë deri në qershor të vitit 2025, dhe burimet e mija janë të sigurta që Osimhen nuk do të nënshkruajë një kontratë të re te Napoli”, tha Romano.
Osimhen së fundmi u kthye në skuadrën e Napolit pas rikuperimit nga një lëndim i marrë gjatë ndeshjes së Nigerisë kundër Arabisë Saudite.