Armend Thaqi është një ndër futbollistët më cilësor që aktivizohet në futbollin e Kosovës. 30-vjeçari në vitet e fundit ka shkëlqyer në fanellën e Ballkanit në garat vendore dhe ato ndërkombëtare.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga skuadra të ndryshme në Evropë. Sipas “Lajmit”, ai pritet që të transferohet në janar te skuadra e Superligës së Turqisë, Sivaspor.
Thaqi ka rënë në “radarët” e klubit turk që në edicionin e kaluar kur në grupet e Ligës së Konferencës e shënoi një gol të jashtëzakonshëm në ndeshjen e zhvilluar në Turqi. Armendi pëlqehet nga drejtuesit turk dhe tashmë interesimi nga ta nuk mungon, madje nuk ka munguar as në afatin kalimtar të verës.
Sivaspor pas xhiros së 14-të në elitën e futbollit turk ndodhet në pozitën e 13-të me 15 pikë të grumbulluara.
Pjesë e këtij ekipi është edhe futbollisti i mirënjohur shqiptar, Rei Manaj, i cili i ka shënuar tetë gola në të gjitha garat në këtë edicion. Armend Thaqi në karrierën e tij është aktivizuar edhe me ekipet FC Prishtina, Gjilani, Hajvalia dhe KEK-u.