Struga Trim Lum ka shënuar fitore me rezultat 2:1 ndaj Bregallnicës së Shtipit, në takimin e javës së 18-të të elitës së futbollit maqedonas.
Sulmuesi i Strugës, Besart Ibraimi, është i lumtur që Struga doli kampione vjeshtore.
“Mendoj se ishte ndeshje dramatike, e paqartë dhe me një fund të lumtur për të gjithë ne në Struga Trim Lum.
E dinim se do të ishte e vështirë, Bregallnica është një ekip i madh.
Megjithatë, në fund fituam me meritë dhe me meritë jemi kampion vjeshte.
Është e qartë se ky është një tjetër sukses i madh për Struga TL, nëse dihet se disa herë në pjesën e vjeshtës nuk ishim në nivelin tonë për shkak të lodhjes nga performanca e gjatë në Evropë ku patëm suksese atje.
Megjithatë, në fund të gjysmësezonit të vjeshtës, ne përfundojmë me vendin e parë. Në pranverë na pret një betejë e vështirë”, tha golashënuesi më i mirë në historinë e PMFL-së, Besart Ibrahimi, të cilit i duhen edhe 8 gola për të arritur shifrën e famshme prej 200 golave në ligën elitare maqedonase, transmeton media maqedonase “SportSport”.