Jude Bellingham shënoi golin e tij të fundit mahnitës në ndeshjen që Real Madrid barazoi ndaj Real Betis të shtunën.
Dhe pas ndeshjes, ylli i Anglisë mahniti kundërshtarët e tij me një gjest klasi.
Bellingham i dha skuadrës së Carlo Ancelottit avantazhin në minutën e 53-të, duke ulur topin me gjoks dhe duke mposhtur portierin Rui Silva me një goditje të bukur.
Betis barazoi 13 minuta më vonë me anë të Aitor Ruibal dhe ndeshja u mbyll 1-1.
Gjatë ndeshjes, disa lojtarë kundërshtarë i ishin afruar Bellinghamit për t’i kërkuar fanellën.
Ndërsa ndeshja përfundoi, Bellingham u nis drejt tunelit pa e hequr fanellën.
Lojtarët e Betis mendonin se asnjëri prej tyre nuk do të merrte në dorë fanellën shumë të lakmuar të 20-vjeçarit.
Megjithatë, ata e kishin gabim, pasi Bellingham u kujdes që të mos zhgënjente askënd.
Rreth 20 minuta pas ndeshjes ai iu afrua dhomës së zhveshjes së Betisit me tre fanellat e tij të ndeshjes në duar.
Sipas gazetës spanjolle Marca, ai ua dha atyre që i kishin kërkuar.
Më pas ai qëndroi për të biseduar rreth ndeshjes, duke treguar hir dhe përulësi pavarësisht statusit të tij prej superylli.