​Arrestohet presidenti i klubit turk që e grushtoi referin

Futboll

​Arrestohet presidenti i klubit turk që e grushtoi referin

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 11:04
Federata Turke e Futbollit (TFF) tha se kishte pezulluar të gjitha ligat pas incidentit të turpshëm në Ankara.

Presidenti i skuadrës turke Ankaragucu, Faruk Koca, u arrestua mbrëmë pasi që grushtoi referin në fytyrë në fund të një ndeshje, ndërsa referi i tha më pas policisë se Koca e kishte kërcënuar atë me vdekje.

Arrestimi erdhi pas një shpërthimi të dhunës në ndeshjen e Ankaragucus kundër Rizespor në Superligën e Turqisë të hënën mbrëma.

Referi, Halil Umut Meler, i cili gjithashtu u godit edhe sa ishte i shtrirë në fushë, tha se Koca e ka kërcënuar atë dhe kolegët e tij bëri të ditur agjencia e lajmeve turke, Anadolu.

“Faruk Koca më goditi mua në syrin e majtë, unë rashë në tokë. Sa isha i shtrirë, njerëz të tjerë më goditën në fytyrë dhe pjesët e tjera të trupit shumë herë”, tha Meler.

“Koca më tha mua dhe kolegëve të mi ‘ju jeni të mbaruar’. Duke mu drejtuar mua, ai tha që do të më vras”, shtoi më tej Meler.

Federata Turke e Futbollit (TFF) tha se kishte pezulluar të gjitha ligat pas incidentit të turpshëm në Ankara.

Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc tha se Koca dhe dy të tjerë u arrestuan zyrtarisht për plagosje të një zyrtari publik, pasi prokurorët morën deklarata prej tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat