Ky nuk është sezoni i Realit të Madridit kur vjen puna te 11 metrat. “Los blancos” vazhdojnë të vendosin rekorde të zeza sa i përket penalltive. Luka Modriç ka shpërdoruar një tjetër në takimin e së martës në Ligën e Kampioneve kundër Unionit të Berlinit.
Penalltia e humbur nga Modriçi në Berlin ka qenë e katërta për Realin në këtë sezon mes miqësoreve, kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve.
Dhe e veçanta është se Reali i ka shpërdoruar të gjitha! Gjithçka filloi në para sezon, me dështimin e Viniciusit ndaj Barcelonës.
Në La Liga, gjuajtësi i parë ishte Rodrigo, i cili provoi fatin ndaj Seltës dhe dështoi. Ishte një veprim jo pa polemika. Ançeloti zbuloi pas ndeshjes se penalltinë duhet ta kishte ekzekutuar Modriç, përsëri në La Liga, në suksesin 4-0 ndaj Osasunës, Reali fitoi një penallti.
Në mungesë të Modriç, ishte Hoselu që e mori përsipër penalltinë. Rezultati? Ajo u prit nga portieri.
Edhe kjo penallti shkaktoi polemika në Madrid, pasi Ançeloti kishte caktuar Rodrigon!
Për të kompletuar rekordin negativ nga 11 metrat ka menduar Modriç në Champions. Penalltia e humbur nga Modriç (kur rezultati ishte ende 0-0) kundër Unionit të Berlit ishte e veçantë dhe për një arsye tjetër.
Kjo ishte penalltia e parë e humbur nga Reali në Ligën e Kampioneve që nga viti 2014, kur Kristiano Ronaldo shpërdoroi një penallti kundër Ludogoretsit. Ançeloti ende nuk e ka gjetur ilaçin për këtë fenomen në Madrid.