Anthony Martial në radarët e Interit. Sulmuesi 28-vjeçar francez është në sezonin e fundit të kontratës me Manchester United dhe drejtuesit zikaltër kanë nisur kontaktet për të studiuar mundësinë e transferimit të Milano.
Sezonin e ardhshëm nga Interi do të largohet Alexis Sanchez dhe Martial shihet si alternativa e duhur për t’u bashkuar me zikaltrit, pasi ka eksperiencën dhe cilësitë e duhura për të ofruar një alternativë për Lautaron dhe Thuram.
Megjithatë problem mbetet paga e lartë e Martial, pasi Interi është gati t’i ofrojë prestigjin e të luajturit në nivele të larta në Europë, por jo më shumë se 4 milionë euro rrogë në sezon.
Nga ana tjetër, Martial joshet nga Arabia Saudite, që është gati t’i japë më shumë se 10 milionë euro në sezon, ndaj pikërisht dëshira e sulmuesit francez do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.
Vlen të theksohet se Ausilio provoi ta marrë Martial edhe në 2016-ën nga Monaco, por atëherë zikaltrit ndryshuan objektiv dhe investuan te braziliani Gabigol, që rezultoi një dështim.