Munishi: S’mund ta ndalim kampionatin për Ilir Dajën, vjet kur luante Ballkani këtu bëhej si orë policore

Futboll

Munishi: S’mund ta ndalim kampionatin për Ilir Dajën, vjet kur luante Ballkani këtu bëhej si orë policore

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 13:10
Ismet Munishi

Analisti i emisionit “Favorit” në T7, Ismet Munishi, mbrëmë i ka komentuar deklaratat e trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja, i cili u shpreh se ekipi Portokalli do të duhej që dy ndeshjet e mbetura, ndaj Dritës dhe Gjilanit, t’i zhvillojë në pjesën pranverore të sezonit, e jo këtë javë kur u mbyll pjesa e parë e edicionit 2023/24.

Sipas Munishit, hatri i një trajneri apo një ekipi nuk mund të bllokohet kampionati pasi prishet mbarëvajtja e tij, njëjtë siç kishte ndodhur në sezonin e kaluar.

Gjithashtu, Munishi mendon se Ballkani është dashur ta menaxhojë më mirë situatën, duke i pushuar lojtarët kryesorë në ndeshjen me Prishtinën dhe duke ua dhënë rastin lojtarëve të rinj pasi insiston se e vërejti një lodhje tek lojtarët e kampionit të Kosovës pas orarit të ngjeshur që e kishin gjatë këtyre muajve të fundit.

“Lojtarët e Ballkanit janë harxhuar fizikisht, emocionalisht prej garave evropiane, është problem çdo të tretën ditë të motivohesh, të jesh i qind për qindtë, për këtë punë futbolli është sporti numër 1 në botë. Po e shoh që po ankohet Ilir Daja, por s’mund ta ndalim kampionatin për Ilir Dajën ne se duhet të luhet futbolli. Po ankohet se pse mi kanë lënë lojtë kështu e pse ashtu… por, s’ka faj ai se e kanë mësuar keq vjet. Kur luante Ballkani në Evropë, orë policore bëhej tek ne, krejt duhet të pushonin. E tash s’po i pëlqen”, u shpreh Munishi.

“I ka 25 lojtarë, ka lojtarë që nuk kanë luajtur, futi ata në lojë. Kjo pikë me Prishtinën nuk i është dashur fare, si i futi lojtarët titullarë si jo, më mirë mos rreziko me t’u lënduar futbollistët. E pash, disa lojtarëve të Ballkanit nuk iu shkonin këmbët. Shtini lojtarët e rinj, ka lojtarë sa të duash, nëse edhe Ballkani ankohet në lojtarë, s’di ekipet tjera çka kanë me thon”, përfundoi trajneri kosovar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat