Ndeshja mes Bournemouth dhe Luton e javës së fundit në Premier League rrezikoi të shndërrohej në një tragjedi kur kapiteni i skuadrës mike,
Tom Lockyer pësoi një atak kardiak në minutën e 59. Për fat të mirë, ndërhyrja e shpejtë e stafit mjekësor bëri që 29-vjeçari të shpëtonte.
Për Lockyer kjo ishte hera e dytë që shfaqeshin problemet në zemër e tashmë karriera e tij është më në dyshim se kurrë.
Së fundmi, Lockyer merr një këshillë nga Christian Eriksen me mesfushorin e Manchester United që e kaloi vetë një situatë të tillë, kur pësoi atak kardiak në Euro 2020 në ndeshjen ndaj Finlandës. Eriksen e ftoi kapitenin e Luton të reflektojë dhe të marrë kohë, si dhe të dëgjojë mjekët në lidhje me të ardhmen e karrierës.
“Së pari uroj të jetë mirë, e pashë dhe lexova për atë që i ndodhi Lockyer.
Shpresoj të jetë mirë, të marrë kohën e duhur për t’u rikuperuar dhe të shijojë kohën me familjen që e ka aty në çdo rast për ta mbështetur.
E këshilloj vetëm që të marrë vendimin më të mirë për veten e tij, të respektojë atë që do t’i këshillojnë doktorët.
E di që ka raste kur asgjë nuk mund të ndalojë të luash dhe të ndjekësh ëndrrën, por varet shumë nga ndjesitë dhe doktorët. Duhet të marrë një vendim së bashku me familjen, por e rëndësishme në këtë moment është të fitojë kohë dhe të mendojë vetëm për rikuperimin”, u shpreh Eriksen.