Presidenti i klubit të shqiptarëve nxjerr nga fusha lojtarët dhe braktis ndeshjen

Futboll

Presidenti i klubit të shqiptarëve nxjerr nga fusha lojtarët dhe braktis ndeshjen

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 21:10
Pamje nga ndeshja

Vetëm pak ditë pasi futbolli turk përjetoi një skandal të rëndë me presidentin e klubit të Ankaragyçy i cili goditi me grusht gjyqtarin, ka ndodhur një tjetër ngjarje e rëndë, thuajse e pabesueshme për nivele të tilla.

Presidenti i klubit të Istanbulspor në Superligë, ka detyruar lojtarët e tij që të braktisin ndeshjen, si protestë ndaj vendimit të gjyqtarit.

Istanbulspor, në radhët e të cilës aktivizohen disa futbollistë shqiptarë si Rroca, Et’hemi dhe Loshaj apo edhe ish-kapiteni i Egnatias, Xhekson, përballej sot me Trabzonsporin, në një sfidë që u braktis para përfundimit të saj të rregullt.

Kur Trabzonspor shënoi golin e avantazhit 2-1 në minutën e 68, vendasit protestuan për një faull ndaj Loshajt, por VAR mbajti në fuqi vendimin e gjyqtarit në fushë.

Kjo bëri që presidenti i Istanbulspor, Ecmel Faik Sarıalioglu, të vendoste tërheqjen e ekipit të tij nga fusha në shenjë proteste.

Edhe pse lojtarët e tij iu lutën që ndeshja të vazhdonte, ai nuk ndryshoi mendje dhe kështu, ekipi braktisi fushën e lojës, duke sjellë edhe braktisjen e ndeshjes.

Një situatë e pazakontë e cila komplikon edhe më shumë situatën e Istanbulspor, i cili mbyll tabelën e klasifikimit në Superligë e tashmë do të përballet edhe me sanksione të rënda.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat