I plagosur dhe i akuzuar si snob. Nuk është një moment veçanërisht i lumtur për Erling Haaland. Qendërsulmuesi norvegjez, i cili do të duhet të humbasë finalen e Kupës së Botës për Klube, të planifikuar për sonte kundër Fluminense, akuzohet se ka injoruar vëmendjen e disa fëmijëve në një qendër tregtare në Jeddah.
Sipas Giovanna Costi, partnerja e futbollistit brazilian Ganso, ish-lojtari i Borussia Dortmundit nuk ndaloi t’ia përshëndeste të birin dhe fëmijët e tjerë, por vazhdoi shëtitjen e tij duke pretenduar se asgjë nuk kishte ndodhur: “Ishte e tmerrshme. Henrico është me të vërtetë i zhgënjyer.
Ka qenë fans i madh i Haaland, ndërsa tani as emrin nuk do t’ia dëgjojë. Ishin vetëm gjashtë fëmijë, nuk denjoi as t’i përshëndeste nga larg. Bëri sikur nuk ekzistonin”, – ka shkruar gruaja në rrjetet sociale.
“Ende nuk mund ta besoj që Haaland nuk i ka përshëndetur fëmijët, ata janë super fansat e tij. E pabesueshme, nuk ua hodhi sytë fare”, – konfirmoi Karina Xavier, partnerja e mbrojtësit brazilian Samuel Xavier.