Atlético Madridi e mbylli vitin 2023 me fitoren 1-0 në shtëpi, këtë të shtunë, ndaj Sevillas, në ndeshjen e prapambetur që i përket javës së 4-t të La Ligës.
Në fund të takimit, trajneri i “Los Colchoneros”, Diego Simeone, u shpreh i kënaqur me fitoren, si dhe bëri një bilanc të gjysmës së parë të sezonit.
“Kemi pasur pesë ndeshje shumë të vështira dhe në të fundit kemi luajtur me një lojtar më pak.
Ne ishim në gjendje t’i përgjigjemi kësaj situate. Ishte një vit shumë i mirë, me 50 ndeshje, nga të cilat humbëm vetëm tetë, fituam 34 dhe mendoj se shënuam 104 gola. Ishte një vit shumë i mirë, nga dhjetori në dhjetor, tani na ka mbetur pjesa e dytë e sezonit”, tha Simeone.
Trajneri argjentinas pranoi gjithashtu se ndihej përgjegjës për përjashtimin e Caglar Soyuncu, në minutën e 70-të, vetëm katër minuta pasi hyri në lojë për të zëvendësuar Koken:
“Ndihem përgjegjës për atë që i ndodhi. Ai është shumë i gjatë, shumë i fortë, gjithmonë dëshiron të dalë përpara dhe ne nuk i dhamë ritmin që i duhej.
Kjo është arsyeja pse një pjesë e përjashtimit është faji ynë, sepse nuk i dhamë minutat që i nevojiteshin për të pasur atë kohë që është e nevojshme kur luan”.