Partizani në krizë, e mposht Erzeni në “Air Albania”

Futboll

Partizani në krizë, e mposht Erzeni në “Air Albania”

Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 19:41
Pamje nga ndeshja

Erzeni mori maksimumin në përballjen e fundit të vitit 2023 në kampionatin shqiptar, duke mundur në “Air Albania” 1-2 Partizanin.

Kampionët regjistrojnë ndeshjen e shtatë radhazi në kampionat pa fitore, teksa pas 6 barazimesh munden në shtëpi.

Erzeni arriti që të shënojë i pari që në të 12-ën me Mihanën që realizoi një gol mjaft të bukur.

Të kuqtë reaguan menjëherë, teksa 5 minuta pas golit Maguette goditi traversën.

Në të 38-ën, Hadroj ndërhyri ndaj Zekës. Gjyqtari kërkoi ndihmën e VAR-it e pasi pa pamjet sinjalizoi penallti.

Nga pika e bardhë, Karimahnovic u tregua i saktë, duke realizuar të dytin për shijakasit.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për Partizanin, qe gjeti golin me Bintsuka në të 53-ën.

Dy minuta më vonë, kampionët në fuqi fituan një 11-metërsh, megjithatë Tedi Cara u ndal nga Hasanbelli.Erzeni e kontrolloi mirë lojën në vijim dhe mori 3 pikët që e nxjerrin nga zona e rënies dhe e mbyll vitin me 21 pikë pas 18 javësh, duke lënë pas Kukësin e Teutën.

Në anën tjetër, Partizani mbetet i dyti me 32 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat