Napoli nuk ia doli në kryeqytet ndaj Romës me Kampionët në fuqi të Italisë që u mposhtën me shifrat 2-0 përballë verdhekuqve të Jose Mourinhos.
Të kaltrit janë në një krizë totale këtë sezon (humbja e tretë në pesë ndeshje) teksa Walter Mazzarri pas sfidës, u ndal për një kohë të gjatë me gazetarët duke shpjeguar me detaje momentin e vështirë të skuadrës së tij.
Këto vonesa bënë që Mazzarri të humbiste autobuzin e skuadrës që u nis për në Napoli pa trajnerin. Sipas “La Republicca”, teknikut iu desh të kthehej në Napoli me taksi teksa 62-vjeçari me siguri ka gjetur kështu edhe një mënyrë për të menduar me qetësi detajet që e bënë të humbiste ndeshjen ndaj Romës.
Mazzarri u rikthye pas 10 vitesh në krye të Napolit pas shkarkimit të Rudi Garcias, megjithatë tekniku veteran nuk po arrin të gjejë “kurën” e duhur për të “shëruar” ekipin që në këtë sezon e ka të pamundur të gjejë vazhdimësinë e rezultateve.