Vedat Muriqi po i afrohet rikthimit në fushën e blertë.
Sulmuesi ka përfunduar i lënduar nga muaji nëntor kur kishte pësuar tërheqje muskulore në ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit.
29-vjeçari i ka humbur disa ndeshje të kampionatit spanjoll nga ajo kohë, duke e marrë në qafë Mallorcan.
E tash sulmuesi prizrenas është duke punuar individualisht edhe gjatë festave të fundvitit, në mënyrë që të jetë sa më i përgatitur kur të rikthehet.
Sipas mediumit spanjoll “Estadio Deportivo”, përfaqësuesi kosovar mund të përfshihet në ekip në ndeshjen e 3 janarit kundër Real Madridit në “Santiago Bernabeu”.
Mirëpo, mbetet të shihet nëse klubi ishullor do të rrezikojë që ta inkuadrojë në lojë ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios në ndeshjen me “Los Blancos” dhe me ekipin Burgos në të njëjtën javë në të 16-ën e finales së Copa del Rey, apo do ta ruajë atë për sfidën që do ta ketë ekipi i Javier Aguirre në xhiron e 20-të të La Ligas më 13 janar kundër Celta Vigos.