Eljif Elmas është zyrtarizuar te Leipzigu pasditen e sotme. Mesfushori i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar deri në vitin 2028.
Ai largohet nga Napoli pas katër sezoneve e gjysmë, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 189 ndeshje dhe shënoi 19 gola.
Me fanellën e kaltër Elmas fitoi një kampionat dhe një Kupë Italie. Ai do të zërë vendin e Forsberg, i cili u transferua te New York Red Bulls.
Rouven Schröder, drejtori sportiv i Leipzigut, nuk e fshehu entuziazmin për këtë transferim:
“Me blerjen e Eljif Elmas arritëm të siguronim një element të rëndësishëm në sulmin tonë pas largimit të Emil Forsberg. Ne e kemi monitoruar Eljifin për një kohë të gjatë, sepse ai është një perspektivë interesante.
Do të përshtatet në mënyrë të përkryer me personalitetin e ekipit dhe do të jetë në gjendje të na ndihmojë me cilësitë e tij. Aftësia teknike e Eljifit është befasuese.
Ai është i shkathët, i pëlqen të vrapojë dhe driblojë dhe mund të shënojë. Mund të luajë në qendër, por është po aq i përshtatshëm në krahë. Me cilësitë e tij ai do të sjellë diçka ndryshe në lojën tonë.
Pavarësisht se është vetëm 24 vjeç, ka luajtur në Itali dhe Turqi dhe ka shumë përvojë ndërkombëtare me Maqedoninë e Veriut. Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të lumtur që kemi nënshkruar me të. Shpresojmë që Eljif të përshtatet shpejt gjatë pushimit të shkurtër dimëror”.