Milani ka filluar prej kohësh kërkimin për përforcime në mesfushë, një repart ku trajneri Pioli ka nevojë për më shumë alternativa.
Një prej emrave të piketuar ishte edhe ai i mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, Hamed Traore.
Lojtari 23-vjeçar ka spikatur me klubet e Empolit e Sasuolos në Serinë A, teksa që nga viti 202, është bërë pjesë e Bornmuth në Premier Ligë. Por çdo ide që kishte Milani për lojtarin, duket se do të presë, pasi aktualisht do të jetë e vështirë që ai të kthehet shpejt në fushën e lojës.
Trajneri i Bornmuthit, Andoni Iraola, ka konfirmuar se Traore është në spital, pasi është infektuar me malarie. “Aktualisht ai është në fazë rikuperimi dhe është më mirë. Javët e kaluara ishin një situatë e vështirë për të personalisht dhe nga ana sportive. Ai do të mungojë për një periudhë kohe të gjatë”, theksoi trajneri.
Kjo praktikisht mbyll çdo dritare negociatash për transferimin e tij në janar, pasi Milani kërkon futbollistë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre dhe nuk ka luksin të presë për riaftësimin e plotë të mesfushorit.