Vlera e kartonit të Ernest Muçit

Futboll

Vlera e kartonit të Ernest Muçit

Më: 2 janar 2024 Në ora: 19:44
Ernest Muçi

Mbërriti në dimrin e vitit 2021 te Legia e Varshavës, aty ku Ernest Muçi muajin tjetër plotëson 3 vite nga transferimi në Poloni. Tre trofe të fituar deri tani, por rrugëtimi i sulmuesit të Kombëtares shqiptare nuk ka qenë i lehtë.

Me vështirësi në fillim dhe aktivizim të pakët, Muçi ka vuajtur edhe ndryshimin e trajnerëve të klubi polak.

Por, ky sezon për të ka qenë më se i rregullt dhe mund ta quajmë deri tani, si sezoni më i mirë.

22-vjeçari po shënon, edhe pse roli i tij nuk është i një sulmuesi të mirëfilltë, por ai jep garanci edhe në minuta, duke qenë gjithmonë i gatshëm për ekipin e tij.

Madje këtë sezon, Muçi ka vendosur një rekord te Legia e Varshavës.

Ai është lojtari i vetëm që është aktivizuar në të gjitha ndeshjet, qoftë edhe një minutë. Askush lojtar tjetër nga ekipi nuk ka arritur që të marrë pjesë në 34 ndeshjet e zhvilluara deri tani.

Më saktësisht Ernesti ka luajtur 19 në kampionat, 6 ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës, 6 takimet në grupet e këtij turneu, si edhe në Kupë dhe Superkupë.

Me një total prej 1949 minutash, Muçi ka shënuar deri në pjesën e parë të sezonit 9 gola, ku shenjë lanë ato tre ndaj Aston Vilës në Ligën e Konferencës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat