Ekipi i Shkumbinit, që militon në Grupin B në Kategorinë e Dytë, ka prezantuar mëngjesin e sotëm trajnerin e ri. Vladimir Gjoni ka marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës peqinase, deri në përfundim të sezonit aktual.
Gjoni rikthehet në Peqin si trajner, pasi vite më parë ai ka luajtur me fanellën e Shkumbinit dhe ka qenë një sulmues shumë i dashur për tifozërinë peqinase me golat dhe kontributin në Kategorinë Superiore.
Presidenti Ali Kasa ka prezantuar edhe Drejtorin Sportiv, një emër i njohur në qytet, ish-futbollistin Anxhelo Suta.
“Ndjehem i kënaqur por edhe shumë i motivuar pasi Peqini dhe Shkumbini janë shtëpia ime. Dëshiroj të bëjmë më të mirën për realizimin e projektit të presidentit dhe kthimin e ekipin mes më të mirëve në Kategorinë e Parë e më tej”, ka thënë Suta.
Ngjitja në kategorinë e Parë është objektivi kryesor i skuadrës këtë sezon. Aktualisht Shkumbini ndodhet në vendin e katërt në renditje, në kuotën e 19 pikëve pas 10 ndeshjeve të luajtura.