Fabio Cannavaro është gati që të marrë drejtimin e Napolit për ta nxjerrë nga kriza ku është futur.
Fituesi i Topit të Artë në vitin 2006, është shprehur i gatshëm për t’u ulur në pankinën e kampionëve në fuqi të Italisë.
Por në anën tjetër tregon se kjo është vetëm një dëshirë e tij, teksa nuk ka patur asnjë bisedë me presidentin De Laurentiis.
Në një kohë kur edhe trajneri Mazzarri duket drejt largimit, pasi nuk po i gjen dot ritmin skuadrës, ish-lojtari i Juventusit dhe Interit e ndjen veten gati të nisë një eksperiencë të madhe pas aventurës që pati me Beneventon.
“A jam unë shpëtimtari? Ka ardhur koha! Më duket e përshtatshme, unë jam gati. Nuk kam patur komunikim me presidentin dhe ai vendos në fund.
Te Napoli situata është shumë e vështirë: pas Spallettit, një trajner jashtëzakonisht i përpiktë, Mazzarri nuk po arrin ta bëjë skuadrën të funksionojë.
Ndikuan edhe largimet e verës e kjo duhet përmendur. 22 pikë më pak se një vit më parë janë shumë dhe me të drejtë tifozët janë tërbuar” përfundoi kapiteni i Italisë së 2006-ës.