Napoli rikthehet të luajë në kampionat, ku nuk po kalon një moment të mirë. Skuadra ka qenë e grumbulluar ditët e fundit, një masë kjo e marrë nga presidenti De Laurentiis për të qetësuar lojtarët.
“Ky grumbullim nuk ishte një dënim për lojtarët. Jam i kënaqur me punën që kam kryer këtë javë dhe djemtë kanë punuar mirë. Kemi qenë bashkë, duke bërë gjëra që nuk mund t’i bëja me më pak kohë. E pranova dhe e doja këtë grumbullim”, tha Walter Mazzarri.
“Unë jam një trajner që më pëlqen të punoj në fushë, të përgatitem për ndeshjet me stërvitje dhe që kur erdha kishte pak kohë për të punuar.
Duke qëndruar në hotel së bashku kemi mundësi të diskutojmë edhe më shumë, por testi është ndeshja e vërtetë”, tha trajneri i Napolit.
“Nëse kemi punuar mire do ta shohim në fushë. Nesër do të shohim një Napoli ndryshe, më brilant se ai i kaluari. Është koha të luajmë si kampionët e Italisë në këtë pjesë të mbetur të sezonit”, tha Mazzarri.