Roma ishte e shqetësuar pasi Paulo Dybala u detyrua që të largohet nga loja në humbjen në derbin e Kupës së Italisë kundër Lazios, por testet mjekësore kanë përjashtuar një lëndim serioz për yllin argjentinas.
Mourinho u detyrua ta zëvendësonte Dybalan me përfundim të pjesës së parë në “Derby della Capitale” kundër Lazios, pasi argjentinasi kishte probleme me një lëndim në muskul. Ai u zëvendësua nga Lorenzo Pellegrini, ndërsa në fund Roma humbi 1:0, raporton KosovaPress.
Ndërsa Dybala e ka treguar vetën që është pjesë kyçe e Romës së Mourinhos në 18 muajt e fundit, lëndime të shumta e kanë karakterizuar kohën e tij në kryeqytetin italian. Që nga vera e vitit 2022, ai ka munguar të paktën në 29 ndeshje për shkak të lëndimeve të ndryshme fizike.
Siç bëhet e ditur nga Gianluca Di Marzio, Dybala iu nënshtrua testeve mjekësore përfshirë edhe një MRI, që e konfirmoi se ai ka pësuar vetëm një ndezje të muskulit, duke përjashtuar frikën për një lëndim serioz.
Pavarësisht lajmit të mirë, 30 vjeçari nuk pritet të rikthehet te skuadra e Romës për ndeshjen e radhës në Serie A kundër Milanit.