Dinamo është mposhtur me përmbysje përballë Tiranës në ndeshjen e luajtur në kuadër të javës së 19-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” përfundoi me fitoren 2-3 të Tiranës.
Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV foli trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.
“Normalisht që më vjen shumë keq.
Që në momentin që ishim 2-0, aty filloi vetkënaqësia e lojtarëve sidomos në linjat e qendrës kishim probleme.
Duhet ta kishim menaxhuar shumë më mirë për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit.
Kemi pësuar gola naivë, nga mosfanatizmi në zbatimin e detyrave në gabime individuale.
Na mungojnë lojtarët me eksperiencë në mesfushë.
Shpeshherë e kemi thënë që vetëm Andoni ka eksperiencë. Këto nuk janë justifikime, por të vjen keq të përmbysesh nga 2-0. Gola nga momente si faulli, apo penalltia në atë mënyrë. Kemi nevojë urgjente të kemi lojtarë me eksperiencë në mesfushë”, është shprehur Mehmeti.