Jadon Sancho i dha fund periudhës së errët te Manchester United. Anglezi u rikthye te Borussia Dortmund në bazë të një akordi huazimi deri në fund të sezonit mes dy klubeve. Kohët e fundit mori epitetin e një futbollisti të padisiplinuar.
24-vjeçari u përplas me trajnerin Ten Hag, me holandezin që e akuzoi për mungesë të etikës së punës. Sulmuesi i majtë mohoi akuzat dhe përfundoi jashtë skuadrës që prej ndeshjes së muajit shtator përballë Arsenalit.
Sancho nuk kërkoi kurrë ndjesë dhe tani shpreson të rigjejë buzëqeshjen e munguar në “Signal Iduna Park”. Ku shkëlqeu për 4 sezone përpara se të transferohej në ishull tek United (2021).
Një nga ish-trajnerët e tij, Ralf Rangnick, në krye të United për 6 muaj (dhjetor 2021-maj 2022), u shpreh për Sky Germany se nuk kishte patur kurrë ndonjë problem me Sanchon, madje e cilëson si një djalosh shumë pozitiv.
“Në 6 muajt që punova me të nuk kishte asnjë problem disiplinor.
Përkundrazi, Jadon është një djalë i qetë dhe i këndshëm”, shprehet trajneri aktual i Austrisë. 85 mln euro pagoi United në arkat e Dortmundit në verën e vitit 2021.
Tani përfiton 4 mln euro nga huazimi deri në fund të sezonit në Bundesliga, duke paguar në të njëjtën kohë pjesën më të konsiderueshme të pagës së futbollistit anglez.