Një gol nga tuneli vlen tre pikë për Vllazninë, që ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1:0 ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”.
Shkodranët e nisën vrullshëm dhe që në minutën e dytë ishte Smajli që nisi një top të gjatë për Grudën në thellësi, me sulmuesin që u vu i vetëm përballë Tafas dhe shtyu topin në rrjetë, duke ndezur entuziazmin në “Loro Boriçi”.
Kukësi provoi të reagojë dhe mundësinë më të mirë e pati në minutën e 39’.
Mbrojtësi shkodran Pusi preku topin me dorë brenda zonës dhe pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri akordoi penallti. Nga pika e bardhë shkoi sulmuesi Atdhe Rashiti, që provoi me një panenka, por topi shkoi mbi kuadratin e portës së Qarrit.
Verilindorët u hodhën në sulm edhe në pjesën e dytë, por pa ia dalë të shmangin humbjen, që i lë në kuotën e 19 pikëve, në vendin e parafundit të renditjes.
Nga ana tjetër Vllaznia siguron fitoren e katërt radhazi dhe ngjitet në vendin e katërt me 29 pikë, aq sa ka edhe Tirana e vendit të tretë, por edhe 7 pikë më shumë se Dinamo ndjekëse.