Rafa Marquez mund të zëvendësojë Xavi Hernandez në pankinën e Barcelonës.
Mediet spanjolle kanë raportuar këtë të martë se Xavi tashmë është në pozita vërtet të vështira dhe me shumë mundësi ai i ka ditët e numëruara në stolin e katalanasve.
Disfata përballë Real Madrid në Superkupë rezultoi një goditje e fortë për ish-kapitenin, por edhe sezoni i dobët në La Liga deri më tani ka bërë që besimi i drejtuesve të luhatet.
Momentalisht, i vetmi që beson ende te Xavi është presidenti Laporta, teksa Deco është ai që po kërkon me ngulm një ndryshim në pankinën e kampionëve të Spanjës dhe 46-vjeçari ka një emër konkret dhe bëhet fjalë për trajnerin aktual të Barcelona B, Rafael Marquez.
Meksikani, ish-mbrojtësi i Barçës ka fituar kredite në ditët e fundit dhe tashmë është në pritje të asaj se çfarë do të ndodh, sepse Xavi tashmë duket gjithmonë e më larg Barcelonës.
43-vjeçari mori drejtimin e skuadrës më 6 nëntor 2021 dhe sezonin e kaluar solli në Barcelonë titullin kampion dhe Superkupën, por ky edicion, kur skuadra pak ditë më parë u mposht thellë nga rivalët e përjetshëm, Real Madrid, mënyra sesi skuadra po luan dhe fakti se katalanasit janë tetë pikë larg kreut kanë bërë që Xavi tashmë të humbasë të gjithë simpatinë e fituar në fillim.
Barcelona do të luajë këtë mesjavë në Kupën e Mbretit ndaj skuadrës së Unionistas de Salamanca dhe një hap fals do të ishte fatal për ish-kapitenin e katalanasve.