Pas Jordan Henderson, i cili arriti marrëveshje për shkëputjen e kontratës me Al Ettifaq, një tjetër lojtar i madh dëshiron të largohet nga Arabia Saudite për t’u rikthyer në Evropë.
Paratë nuk po e bëjnë më të lumtur dhe këtë e di fort mirë edhe Karim Benzema.
Sulmuesi francez është i vendosur të largohet nga Al Ittihad përkundër faktit se paguhet 200 milionë euro në vit.
Ish-futbollisti i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand shpreson që ish-futbollisti i Olympique Lyonit dhe Real Madridit të bëhet objektiv i “Djajve të Kuq” dhe të përfundojë në “Old Trafford”.
“Si mund t’i thuash jo Benzemas? Si mund t’i themi jo këtij nënshkrimi? Benzema do ta ndihmonte shumë Manchester Unitedin, e në këtë moment më së shumti Rasmus Hojlundin”, u shpreh ish-qendërmbrojtësi anglez në kanalin e tij zyrtar në Youtube.
Benzema po flitet se do të rikthehet në futbollin evropian dhe flitet se atë e pëlqejnë Man Utd dhe Chelsea.