Lideri në Ligën e Dytë të Malit të Zi, klubi i futbollit Otrant Olimpik nga dita e sotme ka prezantuar futbollistin tetovar 29 - vjeçarin Valmir Nafiu, ish futbollistin e Shkëndijës, Hamburg SV, Apoel Nikozia, Skënderbeu Korçë, Renova, Shkëndija, Koshice dhe Gjilani.
Futbollisti Valmir Nafiu kontratën 18 mujore e firmosi në hapësirat e klubit dhe në praninë e drejtorit sportiv Valmir Pereziqi dhe anëtarëve tjerë. Menjëherë pasi që e firmosi kontratën me ekipin Otrant Olimpik, Valmir Nafiu për Klan Maqedoni deklaroi:
“Ndihem krenar që firmosa kontratë me skuadrën ulqinake “Otrant Olimpik”.
Drejtuesve të klubit dhe sidomos tifozëve ulqinak u premtoj se do të japi më të mirën time për të arritur objektivat e ekipit.
Klubi i futbollit “Otrant Olimpik” do të arrij objektivat e veta”.
Klubi i futbollit Otrant Olimpik sot ka firmos kontratë edhe me mbrojtësin Stefan Vico ish futbollistin e Igallos. Pjesa pranverore e kampionatit në Ligën e dytë Malit Zi fillon me 2 mars.