Ferizaj i kushton rëndësi edhe gjeneratave të reja, ku e llogarisin si bazë të fuqishme për të ardhmen e klubit.
Ish futbollisti Ismet Sahiti është emëruar trajner për kategoritë e reja.
“FC Ferizaj në kuadër të reformave të nisura në Shkollën e Futbollit, sot ka emëruar për trajner të kategorive të reja, Ismet Sahitin.
Ish-futbollisti i njohur i gjeneratës së artë të Ferizajt, tani edhe me Licencën C të UEFA-s, prapa vetës e ka një bagazh të pasur sportiv sepse tërë jetën ia ka kushtuar futbollit.
Karriera e tij nisi që më 1974-'75 kur u regjistrua tek pionerët e klubit Borci, ndërsa më 1977-'78 kaloi në ekipin e juniorëve e më 1980-'81 në ekipin e seniorëve të këtij klubi.
Në vitet e paraluftës ai luajti aktivisht deri në vitin 1989, ndërsa në 1990 emigroi në Gjermani ku u angazhua në ekipin e futbollit shqiptar FC Kosova Düsseldorf.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sahiti rikthehet sërish për një vit e gjysmë në KF Ferizaj gjersa më 2001 përfundoi karrierën aktive në futboll, për të vijuar nga viti 2003-2005 me stërvitjen e kategorive të vogla 11-13 vjeçare dhe më 2005-2006 duke qenë ndihmës trajner i KF Ferizaj.
Ismet Sahiti është vlerë e shtuar në Shkollën e Futbollit "FC Ferizaj” dhe dëshmia e qartë se puna e profesionalizmi janë misioni i përditshëm i yni.
FC Ferizaj mbetet çdo herë e hapur të bashkojë rrugët me figurat që i kanë dhënë shumë futbollit ferizajas. Sepse ne jemi historia, tradita dhe adresa e profesionalizmit”, njofton FC Ferizaj.