U hodh mesditën e se premtes shorti për fazën çerekfinale të kompeticionit “Copa Del Rey”.
Turneu më i vjetër spanjoll njohu sot çiftet e 8 më të mirëve për sezonin 2023-2024. Barcelona që mban rekordin për më shumë kupa të fituara do të gjejë përballë Athletic Bilbaon.
Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve bindëse ndaj rivalëve të tyre.
Katalanasit mposhtën 3-1 në transfertë modestët e Unionistas, që ishte e vetmja skuadër nga kategoria e tretë në 16-she.
Nga ana tjetër baskët eliminuan ekipin e Alaves me rezultatin 2-0.
Duket një përballje e fortë në letër për 2 nga 3 skuadrat që nuk kanë rënë kurrë nga kategoria.
Shorti i edicionit të 122 i “Copa Del Rey” vuri përballë një tjetër duel të fortë. Atletico e Madridit, që vjen me moralin e lartë pasi eliminoi kampionët e fuqi të Realit, do të sfidojë Sevillan, me këta të fundit që e konsiderojnë kupën varkën e fundit të shpëtimit në një sezon për t’u harruar nga andaluzianët.
2 çiftet e tjera çerekfinaliste që fati vuri përball në hedhjen e goglave ishin Mallorca-Girona dhe Celta Vigo-Real Sociedad. Të tilla sfida premtojnë spektakël, ku një gjë është e sigurt, fituesja e këtij viti do të zbresë nga froni Realin e Madridit.