Egnatia vijon me hapa galopantë në Abissnet Superiore, ndërsa forcën e një pretendeteje serioze për titull kampion e ka provuar Kukësi të premten në stadiumin e vet.
Rrogozhinasit e Edlir Tetovës me një funksionim model të skuadrës në mesfushë e në sulm, për më tepër me një shpejtësi të veprimeve me vertikalizimet e topit pas shpinës së mbrojtjes kukësiane, për 12 minuta kanë gjunjëzuar skuadrën e Stavri Nicës. Ka shënuar Renato Malota, dikur një ish i skuadrës verilindore.
Më pas Fernando Medeiros dhe Gjata e përfundimisht 3-0 që në të 34’. Vazhdimi i lojës është një administrim i mirë i avantazhit nga Egnatia, që të gjithë diskutimin e trepikëshit e mbyll me golin e katërt të Montenegros në të 89’.
Dhe deri më tani dy ardhjet e fundit në sulm Montenegro dhe Gjata me golat e tyre kanë zëvendësuar denjësisht dy të larguarit në merkaton e dimrit Palauskas dhe Isgandarli. Në përgjithësi skuadra, edhe duke llogaritur fitoren e një jave më parë, 1-0 me Skënderbeun me golin e Fernando Medeiros nga pika e bardhë e penalltisë, tregon që është në formë dhe që tanimë pret “Final Four” për t’u kurorëzuar për herë të parë kampione e Shqipërisë. Ndërkohë Kukësi vijon të ketë probleme duke mos e përballuar as në fushën e vet Egnatian, teksa pëson humbjen e dytë radhazi në këtë fillimviti.