Sufjan Sulemani, një emër i ri por që premton shumë në futbollin austriak.
18 vjeçari nga Mateçi i komunës së Likovës po mahnitë me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme tek skuadra e SV Feldkirchen në Unterliga Ost në Austri.
Ai luan në pozitën e mesfushorit. Tek ekipi i tij ai dallohet për kontrollin e bukur të topit, pasimet e sakta, duelet ajrore, duke bërë që interesimi për të të jetë i madh edhe nga skuadrat tjera të Austrisë dhe jo vetëm.
Sulemani karrierën si lojtar e ka filluar në shkollën e futbollit “Rinia” në vendlindjen e tij tek trajneri i njohur, Skender Ismaili, ishkapiten i KF Bashkimi nga Kumanova, shkruan Open.TV.
Nga këtu karriera e tij për disa vite ka vijuar te Eurosport në Kumanovë, për të vazhduar para tre vitesh në Austri, respektivisht në shkurt të vitit 2022, duke u bërë pjesë e ASK Klagenfurt.
Si rrjedhojë, duke parë aftësitë e tij specifike në futboll, Sufjani është bërë pjesë e SV Donau Klagenfurt (nga korriku i vitit 2022) dhe pas një viti transferohet te klubi aktual SV Feldkirchen/Kärnten. Për paraqitjet e tij fantastike, atij tani i është rritur vlera deri në 300 mijë euro që dëshmon se e ardhmja e ndritur është në këmbët e tij.
Meritë të madhe për këtë arritje të Sulimani ka edhe axha i tij, Nejazi Sulejmani, ishfutbollist, i cili e ka sjell ate në Austri dhe aktualisht e luan rolin e menaxherit.
Ëndrra e Sufjan Sulemanit është që një ditë të vesh fanellën më të bukur në botë-atë të Kombëtares shqiptare.
Nga yjet botëror të futbollit ai admiron Leo Messin, kurse nga klubet evropiane e pëlqen Manchester United.
Ndryshe, SV Feldkirchen SV e ka mbyllur sezonin në vendin e gjashtë me 7 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje, duke tubuar 24 pikë. Kampion është St. Veit SC me 44 pikë. Sezonin pranveror në Unterliga Ost nis më 27, ndërsa SV Feldkirchen luan si mysafir.