Skuadra e Real Madrid ka vënë në shënjestër talentin 21-vjeçar brazilian Yan Couto, që luan me Girona në La Liga.
Mbrojtësi i krahut të djathë është në pronësi të Manchester City, që e ka marrë lojtarin që në vitin 2020. Gjithsesi, Couto nuk e ka veshur asnjëherë fanellën e kampionëve të Anglisë dhe është në sezonin e tij të dytë me Girona. Ndërkohë që ka luajtur edhe një sezon me Braga në Portugali.
Në 20 ndeshje në La Liga këtë sezon ai ka realizuar edhe një gol. Në total, braziliani ka realizuar 3 gola në 50 ndeshje zyrtare me ekipin spanjoll, që po befason këtë sezon në kampionat.
21-vjeçari është duke u përpjekur të evidentohet, në kërkim të një skuadre më të mirë. Këto paraqitje të mira kanë tërhequr vëmendjen e Real Madrid, që për ta blerë duhet të bisedojnë me Manchester City, që kanë kartonin e lojtarit.
Sipas “The Sun”, kjo lëvizje duket e vështirë për momentin, pasi Manchester City dhe Girona kanë të njëjtin pronar, ndaj dhe lojtari luan aty. Kostoja e kartonit të Yan Couto është rreth 15 milionë euro.