“I dashur Mike, jam me ty për atë që ndodhi.
Nuk është hera e parë, por së bashku duhet të sigurohemi që të jetë e fundit”.
Kështu shkruan në profilin e tij në Instagram, portieri i Udineses, Marco Silvestri.
“Kjo nuk mund të ndodhë në stadiumin tonë, nuk duhet të ndodhë në asnjë stadium, në asnjë fushë, në asnjë vend, – vazhdoi ai. – Le ta ngremë zërin të gjithë: jo racizmit.
Po ju shkruaj për t’ju thënë se kam tri vite që mbroj portën e Udineses dhe më vjen mirë ta mbroj këtë qytet, këtë klub dhe këtë tifozëri. Unë mbroj ata që e duan vërtet futbollin. Respekti dhe edukimi janë pjesë të vlerave tona, gjithashtu ekipi ynë është një simbol i integrimit.
Këta njerëz janë shumë më tepër, më shumë se një idiot që bërtet e thotë budallallëqe me zë të lartë, duke reklamuar injorancën dhe turpin e tij. I dashur Mike, qëndro i fortë”.