Pas fitores javën e kaluar në Kupën e Mbretit ndaj Real Madridit, skuadra e Atletico Madrid arriti edhe tri pikë të rëndësishme në kampionat, duke “pushtuar” Granadën.
Trajneri argjentinas Diego Simeone mbeti i kënaqur nga fitorja 1-0, sepse skuadra e tij më në fund arriti të mos pësonte gol.
“Ne kishim nevojë të mos pësonim gola. Kemi pësuar shumë gola kohët e fundit dhe kjo na ka kushtuar shumë.
Ekipi bëri një punë të shkëlqyer në fazën mbrojtëse, duke fituar duele dhe duke u përmirësuar në detaje të vogla. Ne fituam një ndeshje të rëndësishme”, komentoi Simeone.
“Ne luftojmë për të fituar jashtë fushës tonë, ku gjithnjë është e vështirë për ne, sepse nuk shënuam edhe gola të tjerë.
Është një fitore që na duhej, shpresojmë të vazhdojmë të përmirësohemi.
Është turp që nuk shënuam golin e dytë, do të kishim shmangur sulmet e kundërshtarëve në kërkim të barazimit”, tha argjentinasi.
Duke folur për transferimin e mundshëm të Correa në Al Ittihad, trajneri tha: “Fola gjatë me të, e dua shumë, është një djalë i mirë dhe një person i jashtëzakonshëm. Dua që të jetë zgjidhja më e mirë për të, ai na ka dhënë gjithçka.
Çfarëdo ndodh, ne do të qëndrojmë me të dhe do ta pranojmë vendimin”.