Një tjetër rikthim romantik për Havier Çiçarito Hernandez!
Pas 13 vitesh e gjysmë, sulmuesi meksikan e gjen veten përsëri në klubin ku nisi karrierën në futbollin profesionist.
35-vjeçari është lojtari më i ri i Çivas! Hernandez doli futbollist i lirë, pasi i tha lamtumirë Los Anxhelos Galaksi, të cilët nuk i ofruan rinovim.
Çiçarito u rrit në sektorin e të rinjve të Çivas dhe bëri debutimin e tij në ekipin e parë në 2006.
Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares meksikane (52 gola në 109 ndeshje) u transferua te Mançester Junajtid në verën e vitit 2010 dhe më pas u huazua te Real Madrid në sezonin 2014-2015, duke u bërë idhulli i tifozëve pas një goli të shënuar në një derbi të Champions League kundër Atletiko Madridit.