Klevi Qefalija do të jetë lojtari më i ri i Dinamo Cityt. Mesfushori i Tiranës ka siguruar kalimin te dinamovitët, klub me të cilin do të luajë deri në vitin 2026.
Burime të SuperSport bëjnë me dije se akordi është arritur dhe 20-vjeçari do të firmosë në ditën e shtunë me 18 herë kampionët e Shqipërisë.
Qefalija largohet nga bardheblutë pas aktivizimit në vetëm 7 ndeshje në këtë sezon futbollistik, ku realizoi edhe një gol ndaj Skënderbeut.
Qefalija është një produkt i akademisë bardheblu dhe debutimin me rekordmenët e futbollit shqiptar e bëri në sezonin 2020/21 ndaj Skënderbeut. Kur Tirana drejtohej nga Orges Shehi.
Mesfushori i avancuar ka luajtur gjithsej 43 ndeshje me Tiranën, teksa numëron 1 gol dhe 2 asiste. Ndërkohë që është aktivizuar edhe në Conference League në tri ndeshje me ekipin bardheblu.
Qefalija ishte pjesë e ekipeve zinxhirë të ekipit kombëtar dhe momentalisht është në organikën e Alban Bushit në Shqipërinë U21. Ku numëron 4 ndeshje.
Për mesfushorin e talentuar pati interesim edhe nga Elbasani, por Dinamo City u tregua më i shpejtë dhe konkret në negociata për të përfituar shërbimet e tij.
Klevi Qefalija do të shndërrohet në përforcimin e gjashtë për skuadrën e Dritan Mehmetit.
Që më parë ka siguruar emra si Kilian Cuni, Jorgo Meksi, Mory Bamba, Stivian Janku dhe Ardit Tahiri.
Dinamo City renditet në vendin e shtatë në Abissnet Superiore pas javës së 20-të, dhe ka si objektiv mbërritjen në “Final Four”.