Frosinone kërkon pikë të rëndësishme për renditjen e Serisë A në këtë fundjavë, ku vihet përballë Veronës.
Aktualisht skuadra gjendet jashtë zonës së ftohtë të klasifikimit, por fitorja ndaj një rivali direkt në luftën për mbijetesë, do të ishte një ndihmesë e madhe për skuadrën e drejtuar nga Euzebio Di Françesko.
Megjithatë në këtë ndeshje mund të mungojnë të tre futbollistët shqiptarë që janë pjesë e kësaj skuadre.
Njëri është përfundimisht jashtë, pasi vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa dy të tjerët janë në dyshim deri në momentin e fundit për sfidën e të dielës pasi i kanë shoqëruar probleme fizike.
“Jashtë është Kalaj, ndërsa në dyshim janë Çuni dhe Ibrahimoviç”, tha ndër të tjera trajneri i Frosinones para gazetarëve sot.
Kështu, mbrojtësi vazhdon të jetë jashtë dhe nuk është rikuperuar ende, ndërsa për dy sulmuesit, situata do të vlerësohet ditë pas dite.