Skënderbeu sërish me mbështetje financiare

Futboll

Skënderbeu sërish me mbështetje financiare

Më: 27 janar 2024 Në ora: 15:55
Skënderbeu

Skënderbeu sërish me mbështetje financiare nga bashkia, këshilli bashkiak akordon 175 milion lekë.

Bashkia Korçë vijon të mbajë një peshë kryesore sa i takon mbështetjes me anë financiare te ekipi i Skënderbeut.

Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Korçës, këshilltarët votuan unanimisht pro për rritjen e fondit që çdo vit bashkia i akordon bardhekuqve duke e kategorizuar në zërin “dieta dhe shërbime”.

Këtë vit me buxhetin e 2024 bashkia Korçë i ka akorduar klubit të futbollit Skënderbeu shumën prej 175 milionë lekësh të vjetra për 10 muaj aktivitet.

Një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin e mëparshëm kur korçarët luanin në kategorinë e parë kur fondi limit i akorduar nga bashkia ishte 137 milionë lekë të vjetër.

Në total janë 30 persona të regjistruar dhe në përputhje me listën e federimeve të dorëzuar në Federatën Shqiptare të Futbollit që do të përfitojnë pagesë mujore prej 575 mijë lekësh.

Në lidhje me pagesën nëpërmjet këtij fondi të dedikuar për ekipin e parë të klubit të futbollit Skënderbeu, bashkia Korçë merr përsipër pagesat për 10 muaj që lojtarët janë në aktivitet duke mos përfshirë dy muajt e pushimit gjatë verës kur kampionatet janë mbyllur.

Ndaj presidentit Ardjan Takaj që ka shumicën e aksioneve në klubin Skënderbeu vjen kështu një ndihmesë jo e vogël nga ana e bashkisë që mban një peshë te rëndësishme sa i takon pagave të futbollistëve dhe stafit. Vite më parë Skënderbeu në futboll arrinte të merrte edhe 500 milionë lekë në vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat