Atletico Madrid ka njoftuar se është përforcuar në repartin defanziv me lojtarin spanjollo-brazilian, Gabriel Paulista.
Përmes një komunikate zyrtare, ishte vetë klubi që njoftoi për përforcimin e ri në skuadër.
“Gabriel Paulista (26 nëntor 1990, Sao Paulo, Brazil) është një lojtar i ri i Atletico de Madridit, pas nënshkrimit deri në fund të sezonit.
Qendërmbrojtësi spanjollo-brazilian kaloi ekzaminimin përkatës mjekësor në spitalin universitar ‘Vithas Madrid Arturo Soria’ dhe më pas nënshkroi kontratën me klubin tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.
Qendërmbrojtësi spanjollo-brazilian ka një karrierë të gjatë dhe përvojë maksimale, pasi përveç La Ligës, Gabrieli ka luajtur edhe në Premierligë, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Në Premierligë, Paulista luajti dy sezone e gjysmë dhe më vonë u kthye në Spanjë, te Valencia. Ai ka kaluar pothuajse gjysmën e karrierës së tij sportive në skuadrën e Valencias, pasi ka veshur fanellën e Valencias për gjashtë sezone e gjysmë. Në rekordin e tij ai ka dy FA Cup, një Community Shield dhe një Kupë të Mbretit.