Juventus transferoi në merkaton dimësore mesfushorin Carlos Alcaraz nga Southampton.
Argjentinasi kaloi në Torino falë formulës së huazimit prej 4 milionë paund teksa bardhezinjtë kanë të drejtën e blerjes së kartonit të 21-vjeçarit për shifrën e 40 milionë paundëve.
Në intervistën e parë si lojtar i Juventus, Alcaraz theksoi se i ka ndjekur shpesh bardhezinjtë në të kaluarën edhe për shkak të lojtarëve argjentinas që janë aktivizuar aty, ndërsa shtoi se frymëzimi i tij mban emrin e Cristiano Ronaldos.
“Për mua është një nder të jem pjesë e Juventus. Në të kaluarën i kam ndjekur shpesh ndeshjet e tyre për shkak se luanin shumë argjentinas si Di Maria, Dybala apo Paredes.
Roli im është ai i mesfushorit, luaj në të dyja krahët e mesfushës. Tani dua të fitoj me Juventusin pasi jam një person shumë kompetitiv dhe që nuk i pëlqen të humbasë. Prandaj do të jap maksimumin për këtë fanellë.
Lojtari që më frymëzon? Si fëmijë më ka pëlqyer gjithmonë Cristiano Ronaldo, është një shembull i jashtëzakonshëm. Për mua është inspirimi më i madh.
Ndjesia e parë kur mbërrita në Torino? Ishte impresionuese, një ëndërr për mua. E di që duhet të punoj fort në stërvitje për të prekur objektivat e mia personale dhe të skuadrës. Më duket shumë e çuditshme tani që jam pjesë e Juventus, pasi kjo është skuadra që unë zgjidhja kur luaja “play-station”, u shpreh Alcaraz.