Edhe Juventusi kthen vëmendjen nga merkatoja me parametra zero.
Bardhezinjtë kanë piketuar sulmuesin anësor të Lazios, Felipe Anderson, për ta marrë me parametra zero në fund të sezonit, kohë kur i skadon edhe kontrata me Lazion.
Braziliani 31-vjeçar nuk po gjen gjuhën e përbashkët me Lotiton për të zgjatur bashkëpunimin dhe nga kjo situatë ka përfituar Juventusi, që ka kontaktuar motrën e tij agjente, duke i bërë një ofertë joshëse.
Bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare me pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon, shifra këto që joshin brazilianin, pasi me 31 vite mbi supe, ky është shansi i fundit për të bërë një marrëveshje të majme në futbollin e niveleve të larta.
Vetë futbollisti ka hapur mundësinë e një transferimi në Torino, megjithatë mbetet për t’u parë cila do të jetë lëvizja e Lotitos. Nëse presidenti lacial barazon ofertën e Juves, atëherë Anderson mund të vijojë qëndrimin në Romë.
Gjithsesi gjasat janë që sulmuesi brazilian sezonin e ardhshëm të veshë fanellën e Juventusit, për të provuar të fitojë edhe trofe të rëndësishëm në një kampionat ku ka kaluar nëj pjesë të mirë të karrierës së tij.