Bekim Balaj është kthyer në liderin e Vllaznisë, me sulmuesin i cili është shënuesi më i mirë i kuqebluve, por në të njëjtën kohë është dhe shënuesi më i mirë në kampionat pas 22 javësh. 33-vjeçari e ka gjetur rrugën e rrjetës në 12 raste duke i bërë në Shkodër që të ëndërrojnë titullin kampion që e duan aq shumë.
Sulmuesi, i cili për shumë vite ka dhënë dhe kontributin e tij për Kombëtaren e Shqipërisë është favoriti kryesor dhe për “Këpucën e Artë” të Superiores. Aktualisht, sulmuesi i Vllaznisë ka shënuar 5 gola më tepër se sulmuesi më i afërt aktiv.
Ndonëse pas tij ndodhen Florent Hasani dhe Raphael Dwamena, sulmuesi dardan u largua në merkaton e dimrit drejt Rapidit, ndërkohë që ganezi humbi jetën në nëntorin e vitit të shkuar.
Dy futbollistët që mund të ushtrojnë presion ndaj Balajt janë Bintsouka i Partizanit dhe Sobowale i Laçit, të cilët kanë shënuar nga 7 gola deri më tani. Deri në fund ka edhe shumë javë, por me hendekun që ka krijuar Balaj, me shumë mundësi kapiteni i Vllaznisë do ia dalë që të ruajë vendin e parë deri në fund të kampionatit në këtë renditje të veçantë.