Sven Goran Eriksson, i cili pak javë më parë njoftoi se vuan nga kanceri i pankreasit, do të drejtojë Liverpoolin në një ndeshje legjendash marsin e ardhshëm. Kështu suedezi do të përmbushë një nga ëndrrat e jetës së tij: të drejtojë The Reds”.
Eriksson do të ulet në pankinë së bashku me legjendat e Liverpoolit si Ian Rush, John Barnes dhe John Aldrige dhe do të ketë nën komandën e tij lojtarë si Jerzy Dudek, Sander Westerveld, Martin Skrtel, Fabio Aurelio, Djibril Cissé dhe Ryan Babel.
Lista e ish-lojtarëve që do të jenë nën urdhrat suedezit do të shpallet në javët në vijim.
“Unë jam një tifoz i Liverpoolit, kështu që gjithmonë kam dashur të jem trajneri i tyre”, tha suedezi. “Ai mund ta bëjë punën time për një ditë nëse dëshiron”, tha Klopp.
U tha, u bë! Eriksson do të ulet në stolin e Liverpoolit. Ndeshja do të zhvillohet kundër një skuadre legjendash të Ajaxit të Amsterdamit më 23 mars, në Anfield dhe të gjitha fondet e mbledhura do të shkojnë për fondacionin e Liverpoolit.
Dy ndeshjet e mëparshme të legjendave, kundër Manchester United dhe Glasgow Celtic, mblodhën gjithsej 1.45 milionë paundë (1.7 milionë euro).