Shumica e tifozëve të Bayernit presin shkarkimin e Thomas Tuchel nga posti i trajnerit të skuadrës së tyre të zemrës. Bavarezët po shfaqin probleme të shumta.
Titulli është drejt Bayer Leverkusenit, teksa erdhi edhe humbja në Champions League kundër Lazios, që fitoi 1-0. Duke e vështirësuar shumë misionin e kualifikimit në çerekfinale.
Gjithsesi, tifozët e zemëruar duhet të presin ende, pasi drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të ndahen me Tuchel, i cili u konfirmua në stol nga Christoph Freund, drejtori sportiv i Bayernit.
“Thomas po lufton në këtë situatë, që është e vështirë për të gjithë.
Objektivi ynë është të dalim të gjithë së bashku nga ky moment, jemi të gjithë në të njëjtën barkë”.
Sfida e kthimit me Lazion do të zhvillohet pas tri javësh (5 mars). Tashmë Bayerni ka detyrën të rikthehet te fitorja në kampionat. Për të rigjetur besimin e humbur dhe për vijuar ndjekjen e Leverkusenit.
“Aspirinat” e Xabi Alonsos kryesojnë Bundesligën gjermane me 5 pikë më shumë se skuadra e Thomas Tuchel. Bayerni luan në Bochum të dielën (15:30).