Marseille e mbylli në barazim 2-2 përballë Shakhtar Donetsk duelin e parë të “playoffs” së Europa League.
Takimi i luajtur në Hamburg u ndez në pjesën e dytë.
Dy herë kaloi skuadra e Gennaro Gattusos në avantazh, por Shakhtari arriti të evitonte humbjen duke mbetur në garë për kualifikimin. Goli i pësuar në minutat shtesë e ka zemëruar trajnerin italian.
“Është e vështirë të flasësh pas një ndeshjeje si kjo. E njëjta fotografi që kur kam ardhur te Marseille. Këtu flitet për numra, por mendoj se është e vështirë të rinisesh kur merr goditje të tilla.
Nuk është një çështje fizike apo taktike, ka lidhje me mentalitetin. Nuk mund të kalosh në avantazh në minutën e fundit dhe të pësosh gol dy minuta më vonë!
E vështirë për t’u shpjeguar. Dhe nuk di si t’i stërvit këto gjëra, sepse nuk jam magjistar, jam thjesht trajneri.
Problem i madh sepse gabime të tilla shtojnë frikën te futbollistët. Por e përsëris: unë nuk di si t’i rregulloj me stërvitje këto gjëra që po na ndodhin”, theksoi Gattuso.
Marseille luan takimin e kthimit të enjten e ardhshme në “Velodrome”, aty ku do të kërkojë fitoren dhe kualifikimin në raundin e 1/8-ve.