Babai i Rrahmanit shfaqi flamurin e Kosovës mbrëmë në Rumani, ja pse e largoi

Futboll

Babai i Rrahmanit shfaqi flamurin e Kosovës mbrëmë në Rumani, ja pse e largoi

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 12:53
Flamuri i Kosovës në stadium

Albion Rrahmani regjistroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer në Rumani, të premten mbrëma.

Sulmuesi i Kosovës ishte autor i një goli në fitoren 2:0 të Rapid Bukureshtit ndaj Hermannstadt,

Të pranishëm në stadiumin e Rapidit ishin edhe prindërit e Albionit. Madje, babai i tij e festoi golin me flamurin e shtetit të Kosovës.

Edhe sulmuesi shkoi te tribuna ku ishin prindërit e tij për të festuar golin së bashku.

Megjithatë, zyrtarët e sigurisë në stadium reaguan shpejt dhe kërkuan që flamuri të largohet.

Sipas asaj që raporton mediumi rumun, “Digisport”, babai i Albionit u kërkoi falje dhe e hoqi flamurin me shpejtësi.

Të dy prindërit e 23-vjeçarit pastaj shfaqën një pankartë me emrin e Albion Rrahmanit.

Mediumi rumun shkroi se pas kësaj gjithçka shkoi mirë dhe nuk pati ndonjë incident që mund të bënte të eskalonte situata.

Kujtojmë se Rumania nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës. Madje, tifozët nga ky vend shpeshherë kanë shfaqur mesazhe kundër Kosovës.

Një rast i tillë kishte ndodhur edhe vitin e kaluar, në ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Shkaku i këtij rasti ndeshja ishte ndërprerë për një kohë, për të filluar pastaj pas largimit të parullës skandaloze “Kosova është Serbi”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat