Elbasani është gjithnjë e më pranë rikthimit në Kategorinë Superiore, teksa pasditen e të shtunës ka marrë një tjetër sukses, këtë herë ndaj Luzit me rezultatin e thellë 5-2.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede shënoi 4 herë në pjesën e parë dhe të pestin në fillim të pjesës së dytë, falë dopietave të Arsen Lleshit e Ardit Hoxhajt dhe golit të Leo Melos.
Nga ana tjetër, pas pesë golave të pësuar, Luzi reagoi duke shënuar dy herë, por golat vlejtën vetëm për statistikë.
Triumfoi me rezultatin 0-2 në Kavajë ndaj Besës, edhe Bylisi kryesues, që gjithashtu është pranë rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Camara dhe Ferreyra shënuan për mallakastriotët, që kryesojnë renditjen me 51 pikë, ndonëse kanë luajtur një ndeshje më pak.
Në sfidat e tjera, Apolonia nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Kastriotit, ndërsa Burreli mposhti me rezultatin 2-0 Tomorin e Beratit.