Futbollisti i Tikveshit nga Kavadari, Imran Fetai, sot ka pësuar lëndim gjatë ndeshjes me Bregallnicën e Shtipit, pas së cilës është dërguar në spital.
Skuadra e Tikveshit, që garon në elitën e futbollit maqedonas, e ka konfirmuar edhe zyrtarisht gjendjen shëndetësore të mbrojtësit.
“Për sa i përket lëndimit të Imran Fetait në ndeshjen e sotme, ju njoftojmë se ai është në gjendje stabile me tronditje të lehtë të trurit, konstatuar nga tomografia kompjuterike e kryer në spitalin e Shtipit, ku po mbahet nën mbikëqyrje 24 orëshe nga ekipi mjekësor.
Shpresojmë që Imran të jetë gati për ndeshjen e radhës dhe i urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Tikveshit.