Emërimi i selektorit të ri të Kosovës, ishte tema kryesore prej shumë të tjerave, që u diskutua nga panelistët në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
Trajneri Ismet Munishi u shpreh optimist se trajneri Franco Foda do të tregohet i suksesshëm, por ka kërkuar që atij t’i lihen duart e lira për të punuar dhe për ta shpalosur dijeninë dhe përvojën e tij, brenda dhe jashtë fushës së blertë.
Analisti i emisionit “Favorit” tutje u shpreh se Kosova s’ka nevojë për trajner të madh e me emër, por që trajneri i ri duhet ta kryejë punën si duhet, duke ua dhënë rastin lojtarëve në bazë të meritave, respektivisht formës që e gëzojnë dhe të jetë në rrjedha dhe në dijeni për ecurinë e tyre me klube.
“Nuk ka nevojë me ardh Guardiola me na kualifiku neve hiç. Duhet me ardh trajneri që e kryen punën e vetë, që vjen këtu dhe rrin, i shikon lojtarët duke lujt futboll, i thirr ata që janë më të mirë, i kap i shtin në lojë. Të jeni të bindur se ka me bo sukses”, deklaroi Munishi.